Si t’i shpëtojmë fëmijët nga vetëvrasja

24 Prill, 2025by 10
Untitled-1

Përgatiti materialin

Diola Malasi (psikologe organizacionale dhe këshillimi)

A mjafton një shuplakë për ta çuar fëmijën në vetëvrasje?

Të gjendur përballë këtij fakti tronditës, në realitetin tonë, prej kohësh po bëhet “zhurmë” rreth këtij fenomeni. Shumë nëna, do të kenë kthyer sytë nga fëmijët e tyre, por edhe mund ta kenë menduar me dhembshuri nënat protagoniste të disa rasteve. I trajtuar në të gjitha format dhe i parë në të gjitha këndveshtrimet, këto ngjarje kanë qenë të prekshme jo vetëm nga media por edhe ne bisedat tona të ditës. E ndoshta, pak kush mund ta ketë parë në dritën asaj se çfarë mund të përjetojë një nënë nën efekte të tilla: a ka qenë vërtetë shuplaka e saj që e ka shtyrë të birin të vetëvritet, apo duhet gjurmuar më thellë për të gjetur arsyen? Sigurisht, nuk mund të pretendohet, që të ketë mjaftuar vetëm një zënke apo një shuplakë për ta nxitur të voglin në këtë sjellje të rrezikshme. E megjithatë, për nënën do vijojë të mbetet një peng i dhimbshëm humbja e të birit, i cili në një gjendje të tillë nuk ka mundur ta përballojë ndëshkimin nga ëma.

Mbas ngjarjeve të tilla, të përcjella bujshëm nga media, shumë prindër mund të jenë përballur me pyetjet e fëmijëve të tyre: “Pse ka vrarë veten ky djali…?”, një pyetje kjo e shoqëruar me mendime, habi, mister… Natyrisht që s’mund të jetë e lehtë për t’ia dhënë përgjigjen, ndërkohë që i vogli ka filluar të fantazojë, ta lodhë mendjen për të gjetur një arsye, për të spostuar ndjesitë e tij tek ngjarja dhe mënyra se si mund të përjetohet. “Fëmija ka vrarë veten sepse prindi i ka dhënë një shuplakë?”…Kjo është ana tjetër e medaljes, e cila gati kërcënon kufijtë prind-fëmijë, duke i bërë ato edhe më të brishtë nga ç’janë.

Çdo ditë i përcjellim fëmijët tanë për në shkollë, dhe dita jonë vazhdon e ngarkuar në anën tjetër…pa praninë e tyre. Të zhytur në punët tona të shumta, në përpjekjet e pafund për një jetë më të mirë, sidomos për të ardhmen e tyre, mund të na ndodhë shpesh të harrojmë të ndalemi, dhe të pushojmë paksa në “oborrin” e së tashmes, për t’i pyetur ata si janë, si ndihen? Jeta ecën me kaq nxitim aq sa duket sikur nganjëherë nuk na lë kohë të mjaftueshme të ndalemi dhe të shohim nga afër fëmijët tanë. Ndoshta mësuesja e ka ndëshkuar për një palë detyra të munguara? Një shok e ka “tradhtuar” duke i nxjerrë një “sekret” tek të tjerët? Ndoshta ndihet i përjashtuar nga grupi, dhe nga bota që ai ka ndërtuar në realitetin e tij? Mund të vijë i mërzitur, të thotë se nuk ndihet mirë, dhe prindi as të mos e këtë mendjen tek “tekat” e tij. Do të donte të thoshte diçka por i rrituri i mbyll gojën duke i thënë “pusho, nuk di gjë ti, je ende i vogël”. A ia ka thënë njeri këtij fëmije se sa i rëndësishëm është ai në familje? A i është thënë këtij fëmije se kur ai ka ardhur në jetë ka gëzuar shumë njerëz?

Të gjithë mund të përballemi me situata nga më të ndryshmet, të krijuara në marrëdhënie me të vegjlit tanë. Nuk hezitojmë t’i kritikojmë, t’u japim mend, t’i ndëshkojmë, madje të ndërmarrim edhe sanksione të rënda kundrejt tyre, deri tek dhuna fizike. Dhe sërish justifikohemi se kjo është disiplinë prindërore, është për të mirën e tyre, duke harruar se edhe ata kanë shqetesimet e tyre, dhe problemet prej fëmije me të cilat u duhet të përshtaten çdo ditë. E veçanta është që fëmijët nuk mundet të përballojnë shqetësimet dhe stresin siç e përballojnë të rriturit për shkak te cilësive te moshës, prandaj kanë nevoje për përkujdesje dhe mbështetje të vazhdueshme.

 

Vetëvrasja për fëmijën është një sjellje me rrezik, dhe e lidhur me aventurën

Përpjekja për vetëvrasje e një para-adoleshentit ka shumë gjëra të përbashkëta me arratisjen. Është një arratisje në brendësi të vetvetes, jashtë caqeve të sjelljes së zakonshme. Ky përfytyrim për vetëvrasjen shpërthen nga një ndjenjë zbrazëtie. Ai nuk është i dëshirueshëm në çastin e vetëvrasjes. Kjo ndodh në mungesë të çfarëdo shprese, gëzimi dhe dashurie për veten. Atëherë kur përfytyron vetëvrasjen ai ndjen një lloj kënaqësie të fuqisë mbi vetveten. Është duke luajtur me veten e vet. Adoleshenti ka një shqetësim për vdekjen, por krejt ndryshe e përjeton një fëmijë 8-9 vjeçar. Fëmija ka marrëdhënie të ngushta me vdekjen, e gjen por nuk e kërkon. Adoleshenti e mbush gojën plot me mendimin e vdekjes, dhe të emocionit të të tjerëve që do qajnë për të. Për fëmijën është një sjellje me rrezik dhe e lidhur me aventurën. Tek adoleshenti jetohet si një zi e fëmijërisë së vet, e mënyrës së tij të qenies. Ata që shkojnë deri në fund janë të bindur se janë të tepërt në familje, ndihen fajtorë që kanë lindur. Këtë e zbulojnë vetëm në çastin e këtij përfytyrimi për vetëvrasje, ku maten me përmbushjen e tij. Kjo përmbushje do t’i jepte nënës kënaqësinë që kanë pasur dhe që në fillim nuk ishte e lumtur për lindjen e tyre. Ndaj, është e nevojshme marrëveshja e fshehtë e këtyre dy elementëve që të jetë e vërtetë përmbushja e veprimit vetëasgjesues. Të gjitha këto shenja do ishte më mirë të vëzhgohen më parë se të jetë tepër vonë. Prindërit duhet të jenë të vëmendshëm ndaj çdo veprimi që ata bëjnë. 

 

A e kuptojnë fëmijët konceptin e vdekjes?

Një nga pikat kryesore në përkufizimin e vetëvrasjes është pikërisht nevoja e individit për të qenë koshient se ai po shkakton vdekjen e tij. Kjo nevojë për ndërgjegjësim dhe qëllimi për të vazhduar me veprimin që do të mbarojë në mënyrë permanente jetën e individit, ngre një sërë pyetjesh rreth fenomenit të vetëvrasjes. A munden fëmijët të kryejnë vetëvrasje? Në çfarë moshe ata fillojnë të kuptojnë se vdekja është e përhershme jo vetëm për të tjerët por edhe për veten e tyre? Nëse i mituri nuk ka arritur akoma ta kuptojë këtë aspekt të vdekjes a mundet ai të jetë i aftë për të kryer vetëvrasjen?

Sipas disa psikoanalistëve, fëmijët nën moshën 11 vjeçare e kanë të pamundur të kryejnë aktin e vetëvrasjes  pasi ata nuk e kanë ende të zhvilluar idenë se përhershmëria e vdekjes është e vlefshme si për të tjerët ashtu edhe për veten. Për më tepër, ata nuk munden kurrsesi të merren me kompleksitetin e planifikimit. Megjithatë, historia tregon se fëmijët jo vetëm që kanë tentuar por disa ia kanë dalë mbanë në vetëflijimin e tyre, dhe jo domosdoshmërisht akti ka qenë i planifikuar. Përkundrazi, në shumicën e rasteve ai ka qenë impulsiv. Këto ngjarje kanë influencuar psikologë të tjerë ta modifikojnë deri diku përkufizim e fenomenit të vetëvrasjes tek  fëmijët – si një sjellje vet-shkatërruese  me qëllimin  për të lënduar veten.

Fëmijët janë dhe ndoshta gjithmonë kanë qenë të magjepsur nga vdekja; në të njëjtën kohë ata përpiqen të kontrollojnë frikërat e tyre dhe ta kuptojnë këtë mister duke e përfshirë vdekjen në mendimet e përditshme, lojërat ose ritet e tyre. Gjatë moshës 7 deri në 8 vjeç, fëmija është duke u përballur me aspektin emocional që rrethon konceptin e vdekjes. Ata nuk mund t’i rezistojnë të pyeturit për të. Ndërsa, në moshën 9 deri 12 vjeç, ai ia ka dalë mbanë në krijimin e mekanizmave mbrojtës që ruajnë një ekuilibër të brendshëm midis njohurisë rreth dhe frikës nga vdekja.  Pra në këtë moshë, shumica e fëmijëve e kuptojnë konceptin e vdekjes dhe për më tepër atë të vetëvrasjes. Megjithatë, jo për të gjithë, të kuptuarit e nocionit të vetëvrasjes  është e lidhur me të kuptuarit e vdekjes. Studime të shumta kanë demonstruar se, fëmijët që kanë tentuar të vrasin veten besojnë se vdekja është e përkohshme dhe e këndshme, ndërsa ata që nuk kanë paraqitur një tendencë të tillë e perceptojnë vdekjen si të përhershme. Të dhëna të tilla, përforcojnë edhe një herë rëndësinë e bindjeve të fëmijës rreth vdekjes si një gjendje të përhershme, kundër sjelljeve vetëvrasëse.

Pra, çfarëdolloj informacioni i gabuar në lidhje me vdekjen, i transmetuar nga prindërit ose nga programet për fëmijë mund ta influencojë të miturin për të qenë më i pripur kundrejt akteve vetëvrasëse. Gjithashtu, zhvillimi i egos së fëmijës mund të luajë një rol shumë të rëndësishme. Ata që janë të stresuar mund të regresojnë në kuptimin e tyre për finalitetin e vdekjes deri në atë pikë sa ta shohin atë si të kthyeshme duke e vendosur veten  në rrezik për sjellje vdekjeprurëse.

Ja pse, teksa i shpjegojnë të vegjëlve të tyre vdekjen, prindërit duhet të jenë kreativ, konkret dhe ta inkuadrojnë informacionin në  nivelin e të kuptuarit të fëmijës. Shpjegimet më të mira janë të thjeshta, direkte dhe të bazuara mundësisht në eksperiencat personale të vetë të miturit. Pas shpjegimit,prindërit duhet ta pyesin fëmijën se çfarë kuptoi nga ajo që iu tha. Kjo i jep mundësinë që të korrigjojnë ndonjë shtrembërim të mundshëm të informacionit.

Vetëvrasja shpesh rrethohet nga një konspiracion i heshtjes. Sidoqoftë ajo mbetet një çështje e shëndetit publik. Edhe pse në vetvete parandalimi i vetëvrasjes është i diskutueshëm, personeli i shkollës mund të jetë i rëndësishëm pikërisht në mos marrjen pjesë në konspiracionin e heshtjes. Sa më shumë të dimë, aq më shumë të përgatitur mund të jemi për të ndihmuar nxënësit dhe studentët në rrezik.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Si të na kontaktoni
Për konsulta dhe informacione të detajuara ju ftojmë të na kontaktoni në:
Na ndiqni në rrjetet sociale
Për të marrë përditësimet e fundit apo edhe njoftime mbi shërbimet tona ju ftojmë të na ndiqni në kanalet tona zyrtare në rrjetet sociale
Si të na kontaktoni
Për konsulta dhe informacione të detajuara ju ftojmë të na kontaktoni në:
Studio psikologjike Equilibrium
Media & Partnerë
Na ndiqni në rrjetet sociale
Për të marrë përditësimet e fundit apo edhe njoftime mbi shërbimet tona ju ftojmë të na ndiqni në kanalet tona zyrtare në rrjetet sociale

© 2024- Studio Psikologjike Equilibrium nga Sonila Luzi | Të gjitha të drejtat e rezervuara | Krijuar & Mirëmbajtur nga Imagjino Albania

© 2022- Studio Psikologjike Equilibrium nga Sonila Luzi | Të gjitha të drejtat e rezervuara | Krijuar & Mirëmbajtur nga Imagjino Albania